Durrësi aplikon nga sot parkimin me pagesë në rrugët kryesore
Durrësi nis zbatimin e parkimit me pagesë në rrugët kryesore, me tarifa të diferencuara sipas zonave.
Durrësi nis sot zbatimin e sistemit të parkimit me pagesë në rrugët kryesore të qytetit, duke aplikuar tarifa të diferencuara sipas zonave. Drejtuesit e automjeteve do të paguajnë 100 lekë për parkimin në zonën A dhe 40 lekë në zonën B.
Policia Bashkiake Durrës ka njoftuar se, me nisjen e sistemit të ri, punonjësit e saj do të jenë të pranishëm përgjatë rrugëve kryesore dhe pranë zonave të parkimit për të orientuar qytetarët mbi mënyrën e kryerjes së pagesës. Sipas njoftimit, punonjësit do të pozicionohen afërsisht çdo 500 metra, pranë hapësirave të përcaktuara për parkim, dhe do t'u shpjegojnë drejtuesve të automjeteve procedurën e pagesës nëpërmjet telefonit celular.
Shërbim 24 orë në tre sheshe parkimi
Krahas parkimit me pagesë në rrugët e qytetit, shërbimet e Policisë Bashkiake do të jenë të pranishme 24 orë në tre sheshe parkimi: në sheshin “Jorgji Ziu”, pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve, në sheshin pranë Pallatit të Sportit “Ramazan Njala” dhe në sheshin e parkimit në zonën e Vollgës, pranë Autoritetit Portual Durrës.
Për këto tri sheshe është përcaktuar një mënyrë e veçantë pagese. Pagesa do të mund të kryhet vetëm me kartë bankare, ndërsa nuk do të pranohen para në dorë apo forma të tjera pagese. Punonjësit e Policisë Bashkiake do të jenë të pranishëm për të asistuar qytetarët që hasin paqartësi gjatë procesit.
Dy tarifa për zonat e parkimit
Sistemi i ri e ndan parkimin në dy kategori tarifore. Në zonën A, që përfshin hapësirat me tarifën më të lartë, parkimi kushton 100 lekë, ndërsa në zonën B tarifa është 40 lekë.
Policia Bashkiake Durrës u ka kërkuar qytetarëve mirëkuptim dhe bashkëpunim gjatë fazës së zbatimit të sistemit të ri, si dhe respektimin e rregullave të parkimit me pagesë.